Secondary Adv

Vengu: Brenda 2026 nisin prodhimet e para të municioneve Made in Albania

Ministri i Mbrojtjes thotë se industria ushtarake shqiptare hyn në fazën e prodhimit përmes partneriteteve shtet-privat.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, këtë të premte mori pjesë në mbledhjen e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku bëri të ditur se janë nënshkruar gjashtë kontrata për krijimin e gjashtë kompanive të përbashkëta shtet-privat përmes kompanisë shtetërore KAYO. Sipas tij, këto kontrata krijojnë bazën për prodhimin e mjeteve dhe municioneve të nevojshme për vendin, ndërsa shtoi se pritet që prodhimet e para “Made in Albania” të nisin gjatë vitit 2026.

 

Kontratat dhe fushat e prodhimit

“Sa i përket industrisë ushtarake, jam i gatshëm që të bëjmë një sesion të posaçëm, një pjesë me dyer të hapura, një pjesë me dyer të mbyllura, për ato elementë që duhet të ruajnë konfidencialitetin sepse janë prodhime armatimi për nevojat tona. Kemi 6 kontrata të nënshkruara aktualisht për krijimin e 6 kompanive të përbashkëta shtet-privat përmes kompanisë shtetërore KAYO dhe 6 operatorëve privatë. 6 kontratat parashikojnë krijimin e municioneve, mjeteve, pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve antidronë dhe mjeteve të emergjencave civile”, u shpreh Vengu.

 

Ringritja e Pashalimanit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar

Ministri theksoi se negociatat janë drejt përfundimit për ringritjen e kantierit detar të Pashalimanit në bashkëpunim me një kompani të madhe italiane, me synimin që Shqipëria të ketë mundësi të prodhojë dhe të mirëmbajë anijet e saj, si edhe të prodhojë dhe mirëmbajë mjete për vendet aleate.

 

Hapat e ardhshëm strategjikë

“Ky është spektri në të cilin po ecim. Presim që produktet e para ‘Made in Albania’, për mjetet taktike, të emergjencave, uniformat dhe municionet, prodhimet e para të fillojnë këtë vit. Ministria e Mbrojtjes është duke realizuar hapat përfundimtarë për rishikimin strategjik të mbrojtjes 2026”, tha Vengu.

 

Burimi: Euronews


Më të lexuarat